Home » Kosova, Lajme » Identifikohen parregullsi në punën e Kuvendit

Identifikohen parregullsi në punën e Kuvendit

Një raport i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) thekson të meta dhe parregullsi të cilat po pengojnë mbarëvajtjen e punës së Kuvendit të Kosovës.

Driton Selmanaj, nga KDI gjatë një konference për media ka thënë se rrethanat politike të krijuar në vend pas dorëheqjes së presidentit kanë ndikuar në mbarëvajtjen e punës së Kuvendit të Kosovës.

Shembuj të tillë, sipas tij janë kërkesa e grupit parlamentar të LDK-së për ta hequr nga rendi i ditës shqyrtimin e strategjisë së qeverisë për privatizimin e PTK-së pa përcaktuar afate kohore se kur do të ndodhë shqyrtimi i tillë, dhe rasti tjetër tha se është rrëzimi nga ana e vetë pozitës të propozimit të qeverisë rreth projektligjit për prokurim publik, përkatësisht pjesa që obligon ministrat që të vejnë nënshkrimin e tyre në kontratat mbi 10 mijë euro.

“KDI shpreh shqetësim lidhur me zotimin e kryeministrit, që ta kthejë në lexim të tretë në Kuvend këtë projektligj. Një qasje e tillë e kreut të ekzekutivit cenon drejtpërdrejt pavarësinë e pushtetit legjislativ në vend, sepse një drejtë e tillë për këtë çështje, i njihet vetëm Kuvendit të Kosovës. Me këtë rast, KDI i bënë thirrje kryeministrit Hashim Thaçi që të mos e shfrytëzoj brishtësinë institucionale për të ndikuar në punën e legjislativit”, ka thënë Selmanaj në konferencën për media.

Një e metë tjetër e evidentuar në punën e Kuvendit për muajin shtator është edhe mungesa e transparencës së Kuvendit.

“Me qëllim të rritjes së transparencës së Kuvendit të Kosovës, e cila vazhdon të jetë një nga problemet kryesore karshi qytetarëve të Kosovës, KDI sugjeron krijimin e një televizioni parlamentar, qoftë në kuadër të Kuvendit, apo si kanal i dytë i televizioni publik (RTK)”, ka deklaruar ai.

Të gjeturat tjera në raportin e KDI-së, janë dështimet e mbledhjeve të tri komisioneve parlamentare, për shkak të mungesë së kuorumit. Po ashtu, shqetësim tjetër paraqet edhe mosgatishmëria e kabinetit qeveritar për t’iu përgjigjur pyetjeve parlamentare.

Leave a Reply

Reklama1

FEATURED VIDEOS

FLICKR PHOTO STREAM

'

© 2017 Shkupi.Mk. All Rights Reserved. Log in - Designed by Gabfire Themes