Home » Kosova, Lajme » Kërkohet ligj për trajtimin e familjeve të të zhdukurve

Kërkohet ligj për trajtimin e familjeve të të zhdukurve

Zyra Civile Ndërkombëtare e udhëhequr nga Peter Faith, kërkon nga Parlamenti i Kosovës që sa më shpejt të nxjerrë një Ligj për trajtimin e personave të zhdukur dhe familjet e tyre.

Përfaqësues të Zyrës civile ndërkombëtare (ICO), thonë se familjet që kanë persona të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë duhet të kenë trajtim të posaçëm nga institucionet e Kosovës, raporton Deutsche Welle.

Zëdhënësi i Zyrës civile ndërkombëtare, Kai Muller Berner, thotë se ky ligj duhet të përgatitet sa më shpejt dhe nuk duhet të bëjë dallime në varësi të përkatësisë etnike

“Në mënyrë të veçantë, ICO beson se ligji duhet të sigurojë mbrojtjen e duhur të të drejtave të personave të pagjetur dhe të afërmve të tyre dhe duhet siguruar që gjatë zbatimit të ligjit të mos ketë kurrfarë diskriminimi kundër asnjë komuniteti. Informatat dhe të dhënat që merren sipas këtij ligji, duhet të gëzojnë të njëjtën mbrojtje dhe duhet të përdoren për qëllimin e synuar”, thotë Kai Muller Berner.

Zyrtarë të Parlamentit të Kosovës, nga ana e tyre janë të vetëdijshëm se ky ligj është dashur të nxirret shumë më herët. Ismet Beqiri, kryetar i Komisionit për persona të zhdukur dhe të drejta të njeriut thotë se ligji i cili trajton familjet e personave të zhdukur tashmë është në hartim e sipër dhe shumë shpejt do të miratohet nga parlamenti.

“Këto familje të personave të zhdukur duhet ta kenë statusin e rregulluar, sepse ato si familje veç shumë halleve dhe shqetësimeve që kanë me mungesën e më të dashurve, nuk duhet që të shqetësohen edhe për ekzistencën e tyre. Shteti e ka për obligim që ta rregullojë statusin e tyre”, thotë Beqiri.

Në listat e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar figurojnë 1837 persona të zhdukur. Zbardhja e fatit të tyre pritet të jetë një nga pikat e dialogut Kosovë-Serbi edhe pse ka kohë që grupe punuese të Prishtinës dhe Beogradit, bisedojnë për këtë çështje, por rezultatet deri tani kanë qenë të pakta.

Leave a Reply

Reklama1

FEATURED VIDEOS

FLICKR PHOTO STREAM

'

© 2017 Shkupi.Mk. All Rights Reserved. Log in - Designed by Gabfire Themes