Home » Kosova, Lajme » Menaxhimi i kufijve vitin që vjen

Menaxhimi i kufijve vitin që vjen

Menaxhimi i integruar i kufijve, ndonëse përbën një nga komponentët më të rëndësishëm të procesit të liberalizimit të vizave, vazhdon të mbetet sfida kryesore për institucionet e vendit. Megjithatë, autoritetet e Prishtinës shfaqin optimizmin e tyre se do të arrijnë që të përmbushin këtë kriter deri nga mesi i vitit të ardhshëm, në mënyrë që Kosova të mos mbetet vendi i vetëm i izoluar në Ballkanin Perëndimor.

Drejtues të institucioneve vendore pranojnë se menaxhimi i kufijve është një nga sfidat kryesore, por edhe një shans për t’i menaxhuar kufijtë shtetëror, duke bashkëpunuar edhe me akterët e tjerë pjesëmarrës, sidomos me vendet fqinje dhe me faktorin ndërkombëtar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka deklaruar për gazetën Zëri se deri vitin 2011 Kosova do të arrijë që të plotësojë edhe këtë kriter evropian.

Sipas tij, kufijtë e Kosovës janë të sigurt, përveç se ka theksuar se pikat kufitare 1 dhe 31 mbesin ende problematike.

Edhe kryetari i Komisionit parlamentar për Siguri, Rrustem Mustafa beson se institucionet kosovare shumë shpejtë do të arrijnë që të bëjnë forcimin e të gjitha pikave kufitare, duke përfshirë edhe ato në veri të Mitrovicës.

Derisa Kosova ka probleme në menaxhimin e kufijve të saj, ekspertë të sigurisë theksojnë se kontrolli i efektshëm i kufijve të Kosovës është themelor në përpjekjet për luftimin e krimit të organizuar dhe të kontrabandës dhe si i tillë, nuk duhet të jetë nën ndikimin e politikës.

Eksperti i sigurisë, Ramadan Qehaja ka potencuar se “Kosova akoma ka probleme në menaxhimin e kufirit, sidomos atij verior me Serbinë, pasi që Beogradi zyrtar në fakt ka arritur që pjesën veriore dhe dy pikat kufitare që të mos kontrollohen nga institucionet shtetërore të Kosovës.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës kohë më parë ka miratuar strategjinë për menaxhimin e integruar të kufijve të vendit që parasheh arritjen e objektivave të afërta me praktikat dhe standardet evropiane në menaxhimin e kufijve, siç janë ruajtja e paqes dhe stabilitetit të brendshëm dhe rajonal, lehtësimi i tregtisë dhe qarkullimit të njerëzve, por edhe mbyllja e kufirit për të gjithë ata që zhvillojnë aktivitete të paligjshme.

Leave a Reply

Reklama1

FEATURED VIDEOS

FLICKR PHOTO STREAM

'

© 2017 Shkupi.Mk. All Rights Reserved. Log in - Designed by Gabfire Themes