Home » Bota & Rajoni » Njohja e Kosovës shtet, kryediplomati grek mbërrin në Prishtinë

Njohja e Kosovës shtet, kryediplomati grek mbërrin në Prishtinë

Çështja e njohjes së Kosovës shtet, sidomos tani pas vendimit të dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, duket se e ka detyruar ministrin grek të Punëve të Jashtme, Dimitris Droutsas, të marrë rrugën drejt Prishtinës dhe Beogradit.

Lajmi bëhet me dijeni nga mediat greke, të cilat konfirmojnë se Droutsas do të vizitojë këtë fundjavë Beogradin dhe Prishtinën, për t’u theksuar të dyja palëve nevojën e uljes në tryezën e dialogut.

Greqia është ende në dilemë nëse do të njohë pavarësinë e Kosovës pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Në një deklaratë zyrtare, ministria e Jashtme greke kumton se në opinionin e gjykatës analizohen anët juridike të problemit, në bazë të kërkesës së Asamblesë së Kombeve të bashkuara.

Sipas burimeve nga ministria e Jashtme greke, Droutas do t’i përcjellë udhëheqjeve të Serbisë e Kosovës porosinë e Bashkimit Evropian që të dy palët të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të negociojnë për një zgjidhje përmes dialogut.

Greqia, bashkë me Qipron, Spanjën, Sllovakinë e Rumaninë, përbëjnë pesëshen e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur, për arsye të brendshme, pavarësinë e Kosovës.

Edhe pas shpalljes së opinionit të Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i Athinës për mos ta njohur pavarësinë e Kosovës, nuk ka ndryshuar.

Leave a Reply

Reklama1

FEATURED VIDEOS

FLICKR PHOTO STREAM

'

© 2017 Shkupi.Mk. All Rights Reserved. Log in - Designed by Gabfire Themes